• Driton Hajredini: Who killed the painting?
Me punue nji muej n’vit për art

Me punue nji muej n’vit për art
Jakup Ferri, Driton Hajredini, Genc Kadriu, Alban Muja, Rron Qena, Lulzim Zeqiri
Përzgjedhje nga koleksioni i Rron Dalladakut dhe materiali arkivor i konferencës Tregu i Artit dhe Buzëqeshje!

Punë kuratoriale nga Albert Heta

29/3/2012 - 28/4/2012
Hapja 29/3/2012, ora 20:00

"Me punue nji muej n’vit për art" apo modelet aktuale të koleksionimit në nji vend pa treg të artit bashkëkohor dhe pa përkrahje substanciale për institucionet e pamvaruna të artit bashkëkohor, si projekt asht i bazuar në analizimin e nji modeli të zgjedhun të koleksionimit të veprave të artit bashkëkohor dhe të prezantimit publik të dokumentacionit të projektit ‘Art Market and Smile!’, me panelistët Vesa Sahatçiu, Luan Mulliqi, Tamer Bushtra, Afrim Ethemi, Gani Llalloshi dhe Sislej Xhafa, që qe organizuar në vitin 2008 nga Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë.

"Me punue nji muej n’vit për art" fizikisht vendoset në gjurmët e mbetuna të ekspozitës së kaluar n'Stacion – (‘Ka edhe të tjerë që m' pëlqejnë’ (28/12/2011 - 4/2/2012) me punët e Jen Davis, Qëndresë Dedës, Majlinda Hoxhës, Joanna Jennings, Genc Kadriut, Blerta Kambos, Wei Leng Tay, Ferdinand Von Bozen, Mimi Youn, Shen Wei, Lin Zhipeng), prej së cilës ekspozitë, koleksioni Rron Dalladaku ka shtuar nji punë në fondin e vet. Fokus i këtij projekti asht koleksioni i inicuar prej Rron Dalladakut, që deri më tash, në vete përmbledh punët e Jakup Ferrit, Driton Hajredinit, Genc Kadriut, Alban Mujës, Rron Qenës dhe Lulzim Zeqirit.

Nji element i ri në procesin e pregaditjes së kësaj ekspozite asht edhe pasunimi i koleksionit me veprën e parë në video, dokumentacionin e performancës ‘Shiriti i zi ta zen frymën’ të Rron Qenës (2007). Nji arsye ma tepër për me e përmendë këtë detaj asht edhe fakti që kjo punë asht puna e parë në video e nji artisti të Kosovës që asht ba pjesë e nji koleksioni të nji koleksionisti që jeton në Kosovë. (Sa shumë kisha dashtë që të dilte nji historian arti e të më thoshte se ky s’asht rasti i parë i kësaj natyre në skenën tonë t’artit!). Fakti që kjo ndodh në vitin 2012 asht tregues i stagnimit të përgjithshëm të shoqnisë, orientimit të munguar të artistëve të rinj dhe të nji pjese të skenës së artit bashkëkohor; por ndoshta, fakti që kjo gja ndodh pikërisht tani, duhet të shihet si nji fillim i ri.

Rron Dalladaku për koleksionin e tij dhe ftesën për ta ekspozuar nji pjesë të tij, ndër të tjera shkruan: “Andy Warhol njëherë pat thënë: “Artisti është dikush i cili prodhon gjëra të cilat njerëzit nuk kanë nevojë t’i kenë por që ai – për ndonjë arsye – mendon se do të ishte ide e mirë t’ua jep.” Unë pajtohem me Andy-in, por gjithashtu ndaj edhe mendimin e artistit. Mua nuk më duhen këto gjëra (arti), por mendoj se është ide e mirë t’i kem ato në jetën time.
Për një kohë të caktuar, këto ide i zhvilloja vetë, por vetëm në vitin e fundit më lindi ideja që të filloj një koleksion. Ishte mjaft spontane, pas festës së ditëlindjes time, vitin e kaluar. Një mik i çmuar i imi (i cili natyrisht është artist) më akuzoi se po i shpenzoja të hollat kot me këto festa në shtëpinë time. Ai sugjeroi se në vend të kësaj, do të duhej të shpenzoja një pjesë të këtyre të hollave për diçka më substanciale, si arti. Ai pati të drejtë. Unë vazhdimisht kritikoja. E akuzoja atë dhe miqtë e tjerë të afërt artistë se ishin plogësht e letargjik. Por në anën tjetër, isha i pakënaqur me shoqërinë tonë në tërësi që nuk është fare kreative dhe proaktive dhe nuk investon sa duhet në art, dhe që në të njëjtën kohe pret nga komuniteti i artistëve të shpalosë ide kreative për të zgjidhur probleme. Sërish, një artist e frymëzoi idenë për të zgjidhur dilemën time të kahmotshme. U pajtova ta filloj një koleksion, por jo pa një koncept të qartë. Do të punoja një muaj në vit për artin. Kjo në thelb do të thoshte se tash e tuje çdo vit unë do ta shpenzoja shumën e një page mujore për të përvetësuar punime të artistëve. Aktualisht fitoj pagën time në Kosovë. Por, më me rëndësi, kam një lidhje emocionale dhe një pasqyrë mjaft të mirë të skenës së saj të artit bashkëkohor. Prandaj, vendosa ta filloj koleksionin me punimet e artistëve bashkëkohorë kosovar. ”

Koleksionimi individual i veprave të artit në këtë shoqni si duket ka ekzistu qysh kur asht kriju hapësina shoqnore e politike për punë artistike. Si të tilla ato nisma asnjiherë nuk e kanë pasë në thelb nji mekanizëm të menduar apo koncept të caktuar ekonomik të vetëqëndrueshëm, dhe si të tillë deri më sot nuk kanë arritur të kenë atë nivel të zhvillimit që ta bënte këtë veprimtari të shndrrohet në nji sistem. Pa dashtë me i hy thellë në analizat e efekteve globale të tregut të artit sot, a dobinë me pasë apo mos me pasë nji sistem të tillë, do të ndalem shkurt në nji nga arsyet pse ky vend ende nuk ka nji treg të artit bashkëkohor, apo në përkthim të thjeshtë nuk ka as edhe nji galeri private të artit bashkëkohor si pjesë e randësishme e këtij sitemi. Me galeri private ne n’Stacion nënkuptojmë nji ndërrmarrje private fitimprumëse e jo nji ndërmarje që shfrytëzon fonde publike por edhe përfiton pjesërisht nga shkëmbimi i veprave të artit si vlerë materiale. Tregu i artit apo galeritë private me arsye kanë munguar nga hallkat e sistemit socialist të organizimit të artit në Kosovë por edhe në të gjitha vendet dikur socialiste.

Edhe sot, në vendet që dikur ishin pjesë e bllokut socialist, pa i përfshi vendet e hiper-kapitalizmit zhvatës që funksiojnë mbi parimin shteti-kompania ime private, e që dikur ishin vende të administruara me sistem komunist a socialist, ka vetëm pak shembuj të suksesshëm të krjimit të modelit perëndimor kapitalist të shkëmbimit të veprave të artit si vlera materiale.

Sistemi i munguar i shkëmbimit të veprave t
ë artit në Kosovë për mue asht në të vërtetë vetë boshllëku i lanë nga zhdukja e mekanizmit sistemor të koleksionimit të veprave të artit, dhe pamundësia me e zëvendësue këtë mekanizëm me nisma individuale apo institucione publike jo-funkcionale në kohën e zhdukjes së sistemit socialist. Si shembull mund të përmendet që pjesa ma e madhe e veprave që sot janë pjesë e koleksionit të Galerisë së Arteve të Kosovës janë ba pjesë e këtij koleksioni publik me procedura të koleksionimit të BVI-së Krahinore për Kulturë. Për gjenaratën e re: BVI shkurtesë për Bashkësia e Interesit Vetëqeverisës. Krahina asht Krahina Socialiste Autonome e Kosovës.


Ky boshllëk nuk vërehet vetëm në këtë pjesë të aktivitetit shoqnor.
Me nji hulumtim të vogël mund të gjenden infomata që flasin për nji rol të randësishëm edhe të praktikave të atëhershme arkitekturale të arkitektëve të randësishëm kosovar, në krijimin e mekanizmave përkrahës për artin në Kosovë. Agush Beqiri, arkitekt i randësishëm kosovar, në shumicën e enterierëve të ekzekutuara në objektet e ndërmarrjeve të fuqishme kosovare si Grand Hotel Prishtina dhe Hotel Metohia në Pejë, si element të randësishëm të punës së tij ka përfshi pikturat, tapiceritë, vizatimet apo dhe skupturat e artistëve kosovar. Kjo praktikë asht kthyer në nji mekanizëm të fuqishëm përkrahës të punës së artistëve kosovar.

Për dallim, sot ndërtesa e re e projektuar e Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës nuk e ka asnje hapësinë publike në të cilën mund të vendoset as edhe nji pikturë, apo të projektohet nji video.

Si model ky koleksion i Rron Dalladakut asht i rëndësishëm për t’u analizuar, ndoshta edhe ma tepër për mekanizmin konceptual që e ka të instaluar.

Por paramendoni këtë situatë, në një të ardhme të afërt Rron Dalladaku me punën e tij bëhet miliarder dhe nga paga e tij vjetore e ndan ende nji të dymbëdhjetën pjesë për me ble punë të artit bashkëkohor. Shtoja kësaj edhe faktin që koleksionimin në këtë kohë e bën edhe konceptualisht të strukturuar e edhe jashtë rrethit tonë shoqnor.
Me punue nji muej n’vit për art dhe Buzëqeshje!

Albert Heta
Mars 2012