• Artist talk: Anri Sala
Artist talk: Anri Sala

Prezentim publik nga Anri Sala
27 Qershor 2012 ora 20:00.


Anri Sala lindi në vitin 1974 në Tiranë. Ai është një artist bashkëkohor mediumi primar i të cilit është video. Ai studioi arte pranë Akademisë së Arteve të Tiranës nga viti 1992 deri në vitin 1996, video në Shkollën e Arteve Dekorative të Parisit, si edhe regjisurë në Le Fresnoy-Studio National des Arts Contemporains, Tourcoing. Anri punon dhe jeton në Berlin. Disa prej punëve të tij janë: Jepmë Ngjyrat (Dammi i Colori) - 2005, Trishtimi I Gjatë (Long Sorrow) - 2005, Intervista - 1999, Nocturnes – 1999, 1395 Ditë pa të Kuqen – 2011. Sala ka marrë pjesë në shumë ndër aktivtetet më të rëndësishme ndërkombëtare si, Bienalja Europjane Manifesta – 2001, Bienalja e Venedikut – 2003; Bienalja e Stambollit – 2003, Bienalja e Tiranës – 2003 – 2009; Bienalja e Sidnejt – 2006, Documenta – 2012. Ai është gjithashtu fitues i një sërë çmimesh prestigjioze ndërkombëtare, ndër të cilat Çmimi për Artistin e Ri në Bienalen e Venedikut 2003, Çmimi Gilles Dussein – 2000, dhe Absolut Award – 2011.

Veprat e Anri Salës shpalosin një këndvështrim krejt të veçantë në lidhje me si e shohim botën, një këndvështrim që përzien reflektime ndaj historisë, kujtesës dhe ndërgjegjes fluturake të çastit, me një përkushtim dhe vëmendje të pashoqe ndaj së tashmes. Ai ka një talent të papërsëritshëm për realizime të sakta dhe tepër të mprehta, si dhe një aftësi të posaçme për të krijuar instalacione dhe propozime hapësinore që përfshijnë tinguj, imazhe, skulptura, film apo performanca të gjalla.