• Kursi 11: Çka dreqin është uji?
Kursi 11: Çka dreqin është uji?
Kursi 11: Çka dreqin është uji?
Kurs nga Lek M. Gjeloshi
12 – 18 gusht, 2019


Përshkrimi i kursit
Titulli i kursit merr shkas prej një konference të David Foster Wallace, të mbajtur në vitin 2005. I ftuar për të ligjeruar në ceremoninë e diplomimit të një universiteti në SHBA, ai i drejtohet studentëve me një anekdotë: “Janë këta dy peshq që po notojnë dhe ata takojnë një peshk ma të vjetër, që po notonte në drejtimin e kundërt, i cili i përshëndetë duke ju than “Mëngjes, djema. Si është uji?” Dhe dy peshqit e ri notojnë për pak kohë, dikur njeni kthehet e shikon kah tjetri edhe i thotë “Çka dreqin është uji?”

Parabola e David Foster Wallace, ashtu si vetë fjalimi i tij, nuk na flet shumë për drejtimin që merr peshku i vjetër e i urtë, por reflekton mbi konsiderimin e diçkaje thelbësore, të cilën peshku i ri duket se e injoron natyrshëm – Ujin.

Tek kjo zonë indiference, prej ku buron interesi i kursit, bëhet e nevojshme marrja në pyetje e raportit që secili prej nesh ka me të zakonshmen e të papërfillshmen. Detyra që i besohet në këtë rast ndjeshmërisë dhe perceptimit të hapësirës është radikale. Si duhet ta lexojmë metaforen e ujit? Deri në ç’masë është e rëndësishme (pa)vetëdija për zonat që mbështjellin në menyrë të padukshme aksionet tona? E mbi të gjitha, në ç’formë e zakonshmja ose e papërfillshmja mund të stimulojnë një veprim e të na ofrojnë mundësinë e një habie?

Struktura e kursit ndjekë rrugë kryesisht teorike e dialoguese. Eseja e David Foster Wallace do të shoqërohet edhe nga një tekst tjetër, që filozofi italian Giorgio Agamben – gjithashtu në një ceremoni universitare në vitin 2008 – mbante mbi temën e “bashkëkohores”, duke e parë në përspektiven e mospërputhjes së individit me kohën e tashme e me tendencat e saj.

Ndër të tjera, kursi do të përfundojë me projeksionin e filmit “Sátántangó” (1994), të regjizorit hungarez Béla Tarr. Kohëzgjatja e filmit është 7,5 orë.


Biografia
Lek M. Gjeloshi (1987, Shkodër, Shqipëri) studioi Arte Vizuele në Akademinë e Arteve të Firences, në Itali (2010). Praktika e tij artistike fokusohet në përpunimin e një intensiteti të veçantë që çliron mungesa e një objekti të paracaktuar kërkimor. Duke kaluar nga video deri tek punët specifike në vend dhe në veprime tjera konceptuale, aplikimi i drejtpërdrejt – pamore apo të dukshme – punët e tij janë realizuar në marrëdhënie intime me hapësira model dhe të gjetura.

Ndër ekspozitat personale: “Everlast” kurar nga Vala Osmani në Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë (Prishtinë, 2019); “Sleepwalkers” në Galerinë Zeta (Tiranë, 2018); “All my colours turn to clouds” (Të gjitha ngjyrat të mia shndërrohën në re) në Villa Romana (Firencë, 2016); “Off-cells” në Galerinë e Arteve të Shkodrës (Shkodër, 2016). Në vitin 2016 u shpall fitues i çmimit “Ardhje” për artistët e rinj, organizuar nga TICA – Tirana Institute of Contemporary Art në Shqipëri. Në 2015-ën ishte fitues i çmimit “Idromeno”. Ka marrë pjesë në një sërë ekspozitash kolektive që nga viti 2007, si: “Ex Gratia”, kuruar nga Adrian Paci dhe Rischa Paterlini në Collezione Iannaccone (Milano, 2018); “A time for dreams”, kuruar nga David Elliott në Muzeun e Artit Modern Moskë (Moskë, 2014); “Fuori Posto”, “Nuovo Cinema Masaccio” dhe “Lontano da dove?”, kuruar Pier Luigi Tazzi në Casa Masaccio dhe në Fondacionin Lanfranco Baldi (Firence, 2014, 2013, 2012). Në vitin 2018 ishte artist në rezidencë në Residency Unlimited, Nju Jork.


Pjesëmarrja
10 pjesëmarrës do të zgjedhen për këtë kurs. Pjesëmarrësit e interesuar duhet ta lexojnë faqen Regjistrimi dhe kushtet e përgjithshme, ta plotësojnë Formularin e aplikimit, ta bashkangjesin dokumentacionin e kërkuar dhe ta dergojnë nëpërmes sistemit online. Aplikimet me dokumentacion të munguar nuk do të shqyrtohen.

Programi ofron bursa për pjesëmarrësit e zgjedhur nga Kosova. Një numër i kufizuar i bursave, që mbulojnë pagesën për pjesëmarrje, janë në dispozicion për pjesëmarrësit nga vendet e tjera.