• I Miss You, I Miss You, 'Till I Don't Miss You Anymore (2012), poster, 417 x 590 mm
 Më mungon, më mungon, derisa nuk më mungon ma

Flaka Haliti: Më mungon, më mungon, derisa nuk më mungon ma
12.9.2012 - 6.10.2012

Hapja: 12.9.2012 ora 20:00
Prezentim publik nga Flaka Haliti
19.9.2012 ora 20:00.


Flaka Haliti me videon e re të saj i qaset ndjenjës së dashunisë, mishërimi/ përkthimi i të cilës përmes gjuhës ose pamjes asht kolonizue gati se plotësisht nga pop kultura. Paramendoni ta shqiptoni fjalën “të du’” dhe të mos katapultoheni në dispozitivin dashunor/ romantik, ashtu siç përjetësohet për shembull, që prej Renesancës përmes “blazon-it” ose sot përmes prodhimeve Hollywood-iane a muzikës pop. Komunikimi dashunor, në esencë asht ndërtekstual dhe ndjek parimet e bricolage-it.

Sikurse me ndjenjat tjera, si dhimbja, trauma, zija a gëzimi, përfaqësimi i dashunisë – vizualisht (edhe përmes koreografisë) ose përmes përkthimit gjuhësor – gjithmonë dështon. Gjithnji mbetet nji diçka e tepërt, që refuzon të mbërthehet apo përkthehet mediatikisht. Në shumicen e rasteve, ky përkthim funksionon përmes metaforës (tertium comparationis), sinekdokës (që don të thotë marrëdhënie kuantitative) ose metonimisë (që don të thotë marrëdhënie kualitative), prandaj gjithmonë ballafaqohemi me nji distancë ndërmjet referentit dhe të shënjuarit. Në historinë e artit sikurse në artin bashkëkohor, dashunia – në format e përkthyeme (si trupi, kujdesi, vdekja/ zija, melankolia, etj) - ka qenë motiv shpesh i përfaqësuem, sado që janë të ralla punët që kanë (kishin) guximin, të merreshin më përfaqësime ma pak te ndërmjetësuar.

Instalimi i Flaka Halitit mbi dashuninë, i vë pamëshirshëm gishtin këtij “malli dashunor”, problemit a dështimit të përfaqësimit/ përkthimit/ komunikimit të dashunisë. Në instalim, diskursi i dashunisë përkthehet përmes nji mjeti online, programi digjital të përkthimit, që përkthen në nji të njejtën dhe të vetmen gjuhë (universalen, popkulturoren, dashuni angleze). Materiali i përkthyem i instalimit përbahet prej disa letrave dashunie të këmbyeme prej çifteve që kanë lidhje dashunore në distancë. Dashnorët, autorët e letrave, vuanin për shkak se ishin të ndamë, objekti i tyne i dëshirës ishte larg, i vonuar ose i humbur. Prandaj, puna e Flaka Halitit duket se përsërit përfaqësimin e gjithëpranishëm të dashunisë në historinë e artit, dashuninë si zi. Në instalimin e Flakës dashunia në fakt artikulohet edhe njiherë si “të pasunit dashuni për diçka” e jo si “të qenmit në dashni”. Sido që të jetë, asht mu ky aspekt i distancës (dashnorët ndahen për shkak të distancës, ata kanë mall për dashninë e largët/ të humbun) që në mënyrë paradoksale e ban dashuninë në instalimin e Halitit ma pak të ndërmjetësur, ma të pashmangëshme. Prandaj, dashunia në thelb asht relacionale - dashunia asht cilësi e “arsyeshmënise ndërmjet vetes dhe tjetrit” (Margaret E. Toye) ose me fjalët e Luce Irigarays – dashunia asht largësi e afërt.

Katja Kobolt
RED MIN(E)D

Flaka Haliti ka lindur 1982 në Prishtinë. Jeton dhe punon në Prishtine dhe Frankfurt am Main. Puna e saj artistike është me baze konceptuale duke përdore mediumet si video, audio, instalim, fotografi dhe performancë. Ajo u diplomua nga Akademia e Arteve, Universiteti i Prishtinës në vitin 2006, kur një vit më vonë u ftua për të ligjeruar ne Estetiken të Hapësirës në Departamentitn e Arkitektures të Universitetit Prishtinës. Në vitin 2008 ajo vazhdoi shkollimin e saj në Städelschule per Maisterschule ne drejtimin e Arteve të Bukura, Frankfurt am Main. Puna e saj është treguar në projekte individuale dhe kolektive, ekspozita, prezantime, simpoziume dhe seminare ndërkombëtare, përfshire vendet dhe institucionet si MUSAC, Muzeu i Artit Bashkëkohor e Castilla, të Leon Spanjë: Galeria Martin Janda, Vjenë; Stacion - Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë; Kosova Art Gallery, Prishtinë; press to exit project space, Shkup; Bienalin e Brukselit 1; Panairi i Artit, Vjenë; Muzeu i Skulpturës Gliptoteka HAZU, Zagreb; Siemens ArtLab Gallery, Vienë; Artist-run Sweden Art Fair, Stokholm; Sparwasser. HQ. Berlin; Muzeu i Artit Bashkëkohor i Vojvodinës, Napon Novi Sad; Bienalja SPAPORT, Sarajevë; Haus der Kulturen der Welt, Berlin; Portikus, Frankfurt Main etj.

Flaka Haliti po ashtu është fituese e Çmimit të Parë të »Agriculture and Banking«, organizuar nga Städelschule dhe Rentenbank, të Frankfurt am Main.