• Back to the future: Kader Pagarusha
Kthimi në të ardhmen: Kadër Pagarusha

Kthimi në të ardhmen: Kadër Pagarusha

Punë kuratoriale nga Albert Heta
Ndihmës kuratore: Shelbatra Jashari

4/9/2010 ­ 2/10/2010
Hapja: 4/9/2010 ora 20:00


Kthimi në të ardhmen: Kadër Pagarusha është pjesa IV dhe e fundit e programit të ekspozitave të projektit Kthimi në të ardhmen. Por mbase do të ketë vazhdim! Kthimi në të ardhmen u nisë në fund të vitit 2009 si një rrugëtim unik dhe nji aventurë për ne në Stacion -  Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë dhe skenën në të cilën jemi të vendosun.

Ky është fundi i një projekti, që na dërgoi, Stacionin dhe mua, në një aventurë interesante të të ardhmes së kaluar. Por tash ky duket të jetë një fillim interesant i të kaluarës së ardhme.

Konstruktimi i të kaluarës po bëhet detyrë e përditshme në shetin tonë projekt. Nuk dua të flas tani për makinerinë shlyese që po shkatërron ndërtesa, po heq shenjat nga ndërtesat që shënojnë një pjesë të rëndësishme të historisë së Betejës Antifashiste në Kosovë, që po ndërron emrat e monumenteve të mbetura ose që po i quajn ato me emra politikisht korrekt para se të fshihen prej faqes së dheut, duke fshirë kështu kujtesën e qytetit dhe historinë tonë. Atë që dua ta nënvizoj më shumë në këtë pjesë të projektit, është përpjekja që po bëhet për të na bërë që të harrojmë se ky vend dikur kishte ekonomi, shoqëri dhe sistem të mirëqenies sociale të strukturuar mirë. Ky vend, dikur pjesë e Jugosllavisë, prej të 1960-ve të vonshme, në sferën socio-politike kishte atë që i gjasonte shumë një projekti emancipues të quajtur Vëllazrim dhe Bashkim ndërmjet kombesh dhe të atyre që shiheshin si diçka më pak se kombe, por jo si pakica. Mbas një përpjekje të gjatë, Kosova dhe Vojvodina, në vitin 1974 fituan një pozitë kushtetuese në Federatë dhe institucionet e veta qëndrore, të cilat nuk i shërbenin më ambicieve të tjetërkujt, por tashmë e kufizonin fuqinë gjithnjë të pranishme dhe ambiciet kolonizuese të më të fortit që i drejtohej pjesëve të tjera të Federatës Jugosllave.

Investimet në të gjitha fushat e jetës arritën shpejtësinë e plotë dhe nga fundi i 1980-s Kosova tashmë ishte e ndërtuar dhe mori pamjen e asaj se qysh dukej deri në vitin 1989, kur u bë pezullimi jashtë kushtetues i pozitës
kushtetuese të Kosovës si dhe kur intervenimi ushtarak i nisur nga Serbia e mori formën e okupimit të plotë, hap ky, i cili nuk u sfidua ose kundërshtua nga pjesët e tjera të Federatës tashmë të shkërmoqur.  Okupimi total dhe rikolonizimi i Kosovës nga Serbia, i rinisur më 1991, i shfaqur në sipërfaqe plotësisht më 1989 dhe i implementuar deri në vitin 1999, shënoi procesin edhe të vrasjes së progresit tonë social që paraqiste kërcënim jo vetëm për kolonizuesit tanë të vjetër. 

Por çka ndodhte në vitet 1989/1990 përtej oborrit të gjyshit tim? Ta citoj Boris Budenin: 'Sot, ne ende e nënvleftësjmë në mënyrë naive dimensionin e vërtetë të ashtuquajturës rënie të komunizmit'. Revolucionet e viteve
1989/1990 në Evropën lindore nuk e kanë zëvëndësuar thjesht sistemin e veçantë të bankrotuar social(ist) me një demokratik. Më parë ato e shënojnë simbolikisht fundin e shoqërisë si të tillë ­ momentin kur jo vetëm një
eksperiment historikisht i veçant social por i tanë eksperimentimi njerëzor me socialen mori fund. Kjo është ajo me çka ka të bëj post-komunizmi ­ jo me jetën pas socializmit, por jetën mbas shoqërisë si të tillë. 

Prej vitit 1986 deri më 1988 Kadër Pagarusha vazhdonte studimet e tij pasuniversitare në Hoger Instituut voor Schone Kunsten në Antwerp, në klasën e profesor Hugo Heyrman

Kadër Pagarusha u lind më 1946 në Prizren, Kosovë. Prej vitit 1974 jeton dhe punon në Bruksel.
Mbaroi shkollën e mesme të artit në Pejë (1961-1966).

Shkollimin e vazhdoi me diplomimin në shkollën e lartë pedagogjike në Prishtinë, degën e arteve pamore, në klasës e profesor Tahir Emrës.

Në ndërkohë, punoi si dizajner në fabrikën e tapetave të  murit 'Fazita' në Prishtinë.

Kjo fabrikë bashkë me gati pjesën më të madhe të elementeve të boshtit të zhvillimit ekonomik dhe progresit në Kosovë sot nuk ekzistojnë më. Mbasi që shumica e punëtorëve u larguan nga administrata okupuese serbe mbas grevës së përgjithshme të 2 shtatorit 1990, pasuritë e tyre u vodhën dhe ato që mund të transportoheshin u çuan në Serbi. Mbas çlirimit në vitin 1999, kjo fabrikë bashkë me të tjerat që ishin themeluar në kohën e socializmit si
organizata bazë të punës së bashkuar a si njësi vetëqeverisëse të interesit a ndonji organ tjetër vetëqeverisës u shitën me çmim të ulët nëpërmjet procesit të privatizimit shumë të dyshimtë.

Nga viti 1967 e deri në vitin 1969 Kadër Pagarusha punoi si redaktor teknik në departamentin e revistave dhe të librave në Ndërrmarjen Botuese Grafike dhe Shitëse 'Rilindja'.

Rilindja, që don me thënë zgjim kombëtar ose rilindje kombëtare, ishte edhe emri i gazetës së vetme në gjuhën shqipe të botuar në Jugosllavi, deri në 1980-tat e vonshme. E themeluar në Prizren në vitin 1945, më vonë u zhvendos në Prishtinë dhe fillimisht shtypej në shtypshkronjën e Frontit Popullor në Prishtinë.

Rilindja ishte e rëndësishme për botimin e librave të zgjedhur, përkthime dhe publikime të tjera për tregun shqipfolës në Jugosllavi dhe përtej. Kjo ishte shtëpia, në të cilën gati secili disident gazetar, intelektual, aktivist që më vonë u bënë politikanë, u ushqye dhe mund të gjente strehim. 

Për gjeneratën time, Rilindja është e rëndësishme edhe për rrjetin e librarive të Rilindjes, meqë në vitet e vona të viteve 1980 në to mund të bleje dhe një kompjuter. Amstrad 64K Microcomputer u fut në këtë treg përmes
rrjetit të librarive Rilindja.

Me 5 shtator 1990, administrata okupuese serbe e mbylli Rilindjën.

Rasti i shkatërrimit dhe shlyerjes nga kujtesa publike e Rilindjës (1990-2010) është një tjetër rast klasik i përpjekjes për të shlyer jo vetëm historinë por edhe dëshminë.

Në vitin 1969 Kadër Pagarusha shpërngulet për në Bruksel dhe prej fundit të vitit 1969 e deri në vitin 1971 vazhdoi shkollimin e lartë për pikturë në Académie Royale des Beaux Arts (Akademinë mbretërore të arteve të bukura) në
Bruksel.

Në vitin 1971 kthehet në Prishtinë dhe vazhdon të punojë si redaktor teknik i gazetës Rilindja.

Në vitin 1974 kthehet në Bruksel dhe vazhdon punën në pikturë deri në vitin 1982.
Gjatë kësaj kohe ai mori pjesë në disa ekspozita grupore, përfshirë këtu: 
Prix Breughel Bruksel 1975; konkursin 'Louis Schmidt' Bruksel në vitin 1981, në shtëpinë e kulturës Woluwe Saint Pierre 1981 si dhe një ekspozitë vetjake në konsullatën belge në Atlanta, SHBA (1979). 
Prej vitit 1986 e deri në vitin 1988 i vazhdoi studimet pasuniversitare në Hoger Instituut voor Schone Kunsten në Antwerp, në klasën e profesor Hugo Heyrman
Prej vitit 1990 deri në vitin 1991 ai punoi në Paris.

Punët e tij u ekspozuan shpesh në Bruksel, në mes tjerash në galerinë Cobra (1994, 1997 dhe 1999), galerinë D'Egmont (1984), galerinë Triangle (1984), galerinë Pacific (1975), galerinë Tetra ­ Wavre (1983) dhe Instituut voor
Schone Kunsten në Antwerp (1985). 

Kadër Pagarusha u shpërblye në vitin 1980 me çmimin për pikturë Prix de Peinture 'André Toetenel' dhe në vitin 1985 me çmimin 'Karel Verlaat'.

Punët e tij janë pjesë e koleksioneve në SHBA, Izrael, Britani të Madhe, Irlandë, Suedi, Francë, Holandë, Japoni dhe Zvicër.

Pyetja ime është, sa gjatë mund t'i mbajmë sytë hapur?

Albert Heta
Gusht, 2010


Kthimi në të ardhmen: Kadër Pagarusha është pjesë e projektit 'Ktimi në të ardhmen' nga Stacion ­ Qendra pë Art Bashkëkohor Prishtinë. 'Kthimi në të ardhmen: Kadër Pagarusha' u mbështet nga Arda Rei, Ministria për Kulturë,
Rini dhe Sport e Republikës së Kosovës, Drejtorati për Kulturë, Rini dhe Sport i Komunës së Prshtinës, Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur, KTV, RrokumTV dhe DZG.