• Övül Ö. Durmusogl: In Search of Radical Incomplete, A Perfect Animal Within
Në Kërkim për Radikalisht të Papërfunduarën, Një Kafshë e Përsosur Përbrenda

Në Kërkim për Radikalisht të Papërfunduarën, Një Kafshë e Përsosur Përbrenda

León Ferrari dhe Ricardo Pons, Nuria Güell, Emre Hüner, Clara Ianni dhe Debora Maria da Silva, Bouchra Khalili, Erdem Tasdelen, Susanne M. Winterling

Kuratore: Övül Ö. Durmusoglu

5/6/2015 – 18/7/2015
Hapja 5/6/2015 në 20:00

Lokacioni 1:
Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë
Rruga Zija Prishtin p.n. 10000 Prishtinë, Republika e Kosovës

Lokacioni 2:

Emre Hüner: 'Diving Man Diamond Head' në Klubin e Boksit, Rruga Mark Isaku p.n. 10000 Prishtinë, Republika e Kosovës
Koha e vizitave pas hapjes:
Çdo të mërkurë, prej pres 19:00 deri në ora 20:00

Kohë-hapësira e rrëfimit është e riformuluar nga çdo protagonist i cili hyn në të. Tregimi gjendet në intervalet dhe ndryshimet e kujtesës. Në thelb të papërfunduara, rrëfimet janë një bazë për t’i hulumtuar dhe spekuluar realitetet e shumëfishta, më shumë sesa një skenar i të vërtetave përfundimtare.

Një kërkim i tillë i realiteteve të shumëfishta sjell përpara aftësinë për të kritikuar atë që e konsideron vetë fushën e kritikës si radikalisht të papërfunduar. Kritika e rigjeneron veten dhe i ikë etiketimit si një zonë e rehatshme. Qëllimi i saj është që të mësojë dhe çmësojë pafundësisht. Si një kafshë e përsosur përbrenda, e cila na lejon të lidhemi me çështjen në të cilën jetojmë; është përplot kontradikta, egoizëm dhe vitalitet. Kjo mendjehollësi na jep rastin t’i vlerësojmë nocionet që ekzistojnë në treg të përplotësimit të vetes në fusha të ndryshme prej politikës deri te algoritmet. 
“In Search of Radical Incomplete, A Perfect Animal Within” (Në Kërkim për Radikalisht të Papërfunduarën, Një Kafshë e Përsosur Përbrenda) është një rikujtim i vizionit poetik të realitetit që hapë forma të reja dhe të papërfunduara.

Ekspozita është inspiruar nga video performanca e León Ferrari-t, 'Casa Blanca' (2005), e xhiruar në bashkëpunim me Ricardo Pons. Gjatë gjithë karrierës së tij artistike, Ferrari ka krijuar raste të ndryshme për t’i sfiduar mediumet dhe metodat e tij. Në vitin 2004, ai sërish i testoi kufijtë dhe metodat e pikturimit duke i vendosur krimbat e gjallë në pëlhurë të bardhë. Ashtu siç i kishte xhiruar Pons, krimbat lëviznin dhe e mbulonin sipërfaqen pikturuese, duke krijuar “imazh të zallit të gjallë”. 'Casa Blanca' (2005) është zhvillimi i këtij eksperimenti që, sipas tij, dëshiroi ‘ta transformonte më të dukshmen në diçka plastike’. Kësaj radhe, Ferrari, i njohur për qëndrimet e tij antiimperialiste, i lëshon krimbat mbi një maket tredimensional të Shtëpisë së Bardhë, simboli sublimues i pushtetit, një veprim ky që sërish është xhiruar nga Pons. Materia tokësore i përdhosë ikonat e kësaj bote. 

Në bashkëpunimin e saj me Debora Maria da Silva, Clara Ianni hulumton kufijtë e abstraksionit poetik të ballafaquar me traumën shoqërore. 'Apelo' (Lutje, 2014) dëshiron që thirrja universale të dëgjohet, ta zbulojë papërfundimin e një historie që mohohet. Filmi trajton çështjen se si diktatura ushtarake mbetet në strukturat gjyqësore, politike dhe institucionale të Brazilit, në përjetimet e çdoditshme të dhunës. 
Fuqia e fjalës së folur dhe agjenset që iu jep atyre të cilët i formulojnë dhe artikulojnë qëndrimet e tyre gjithashtu e krijojnë pretendimin fundamental të veprës 'The Speeches Series' (2012-2013) të Bouchra Khalilit. Seria hapet me pesë emigrantët parisienë që i recitojnë tekstet e Aimé Césaire, Abdelkrim Al Khattabi, Malcolm X, Mahmoud Darwish, Édouard Glissant dhe Patrick Chamoiseau, në gjuhët e tyre amtare, të cilat përveç Dari’t, janë pa skenar të shkruar. 

Solidaritaet (2014) e Susanne M. Winterling është pjesë e punës së saj të fundit që zhvillon metafora të bazuara në imazh për forcat materiale të cilat jetën shoqërore e bëjnë reale. Ne e zhysim veten në shoqëri nëpërmjet ekraneve që preken dhe retina ekraneve derisa jemi dëshmitarë të mënyrës së pakujdesshme të renderimit të subjektivitetit, në këndvështrimin politik dhe ekonomik. Winterling reflekton në atë që përthyhet nga sipërfaqet e thelluara, që është prodhimi kolektiv i subjektivitetit. Në shtresime ajo kalon prej njërës në tjetrën, dhe taktilja shfaqet si forcë materiale primare për t’i adresuar marrëdhëniet e ndërsjella që na bëjnë ata që jemi në aktivitetet si gjumi, si dhe në mënyrat se si bashkëveprojmë me kafshët, bimët dhe materiet e pajeta në sistemin ekologjik në të cilin jetojmë. Në 'Love is...' (2014), Erdem Tasdelen flet për intimitetin si strategji e marketingut përvetësues të pop-kulturës për ta plotësuar veten, një gjeneralizim banal i personales. Kjo gjithsesi e adreson një gjeneratë e cila ka pasur përvojë me historitë e para të dashurisë duke mbledhur karikaturat 'Love is...' prej sakëzave, dhe të cilët në këtë çast nuk mund t’i kujtojnë pa përdorimin e makinave kërkuese në internet. Instalacioni që i liston alfabetikisht të gjitha këngët e zhanreve të ndryshme që fillojnë me
'Love is...' mund të lexohet si një propozim konkret për poezi mjaftueshëm ambivalente për t’u bërë një algoritëm personal/kolektiv. 

Ndërkohë, derisa Bouchra Khalili mendon për historitë personale bashkëkohore të formësuara nga dy problemet e mëdha të modernitetit perëndimor - proletariati dhe historia koloniale. Emre Hüner është i inspiruar nga gjurmët e arkitekturës misterioze të modernitetit perëndimor, kureshtar për të kuptuar se ku është ndalur së funksionuari. Puna e tij 'Diving Man Diamond Head' (2012), është një ushtrim filmik i të përkthyerit të fragmenteve të harruara arkivore në një formë të re artistike në një hapësirë pa kohë. Artisti hulumton modelin origjinal për Shangri La në Honolulu, që është duke u shkatërruar, pasurinë e trashëgimtares amerikane Doris Duke, nga viti 1937, të shoqëruar me qeramikat e bëra për t’i kujtuar ishujt tropikalë vullkanikë, aty ku gjendet prona. Shangri-La ishte ndërtuar për ta mirëpritur koleksionin e 2500 artefakteve që Duke i ka mbledhur, ose porositur, nga Irani, Maroku, Turqia, Egjipti, Spanja dhe India. 

Clara Ianni pohon: “Problemet e paqarta të së sotmes janë të rrënjosura në mohimin sistematik të së kaluarës që mbetet e pathënë, e pazgjidhur, dhe si rrjedhojë, është e tashme”. Puna e Nuria Güell 'Too Much Melanin' (2013), adreson një mohim tjetër që mbetet si një prej problemeve kryesore të Evropës. Në vitin 2013, artistja kërkoi nga Bienalja e Goteborgut ta punësojë Marian që detyrë kryesore e kishte të luante “msheftas” me publikun në Bienale. Maria është refugjate politike nga Kosova, e cila me familjen e saj ka ardhur në Suedi para 9 viteve, mirëpo për 4 vjet familja e saj, duke përfshirë edhe vetë atë, u desh të jetonte e fshehur për arsye pasi qeveria ua kishte refuzuar kërkesën për azil politik.
Në Kosovë ajo ishte zyrtare policore e specializuar për personat e zhdukur dhe trafikimin e grave. Instalacioni shfaq procesin e lojës në të cilën Maria është gjithmonë personi që fshihet dhe publiku mbetet ai që e ndjek. Kur kontrata me Marinë përfundoi. Asaj iu mundësua ta merrte lejen e punës dhe kësisoj të bëhej person juridik. 


“In Search of Radical Incomplete, A Perfect Animal Within” është pjesë e programit vjetor të Stacion - Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë. 

“In Search of Radical Incomplete, A Perfect Animal Within” në Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë është mbështetur nga: Soma, Institut für Auslandsbeziehungen Stuttgart, Technomarket, Fundação n Augusto y león Ferrari, Associação Cultural Videobrasil, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, Ministria e Administratës Publike e Republikës së Kosovës, X-print, Ujë Rugove dhe DZG.