• Shkolla Verore si Shkollë 2017
Felix Gmelin: “Ju dëshirojmë mirëseardhje në një ditë aktive, frymëzuese dhe përfshirëse! “

Felix Gmelin në Shkolla Verore si Shkollë 2017

E Premte, 14 Korrik, 2017, 20:00

Vendi: Klubi i Boksit, Rr. Mark Isaku 10000 Prishtinë, Republika e Kosovës

Stacion - Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë ka kënaqësinë të paraqesë prezantimet e Felix Gmelin, pjesë e Programit Publik të Shkolla Verore si Shkollë 2017.

Felix Gmelin: “Ju dëshirojmë mirëseardhje në një ditë aktive, frymëzuese dhe përfshirëse! “

Mbi gjendjen e tanishme të edukimit: Ne po vlerësohemi, por kush kë po e vlerëson dhe në çfarë kushtesh? Universitetet sot janë të obliguara të jenë transparente dhe të krahasueshme me “Procesin e Bolonjës”, që është proces i shkëlqyeshëm për mobilitetin e studentëve.

Por kush po e vlerëson kë dhe në çfarë kushtesh? Cilat janë kualifikimet e vlerësuesve? Pse reformat e menaxhuese të orientuara drejt tregut dalin nga binarët në edukimin e individëve që mund t’i kuptojnë pyetjet shoqërore. Kjo punë ka qëllim të vlerësojë vlerësuesit.

Reformat arsimore që pasojnë nga “Marrëveshjet e Bolonjës” kanë kërkuar legjitimim përmes metodave intensive të vlerësimit. Ky proces i vlerësimit është hapur për ndikimin e fuqishëm politik mbi arsimin e lartë nga agjencitë e ndryshme qeveritare. Por, si e trajtojmë ne këtë çështje si edukatorë të shkencave humane dhe të arteve? Për të provuar se si funksionojnë metodat menaxhuese në kuadër të shkencave humane në praktikë, kam angazhuar z. Rhaman K.J. Wagner, i cili punon në departamentin gjerman të Bad-Homburg- të Kaizen Institute — një ndërrmarje botërore e cila kryesisht ndihmon industritë në përmirësimin e efikasitetit dhe ua kam prezantuar atë gjashtë studentëve nga Carl von Ossietzky, University in Oldenburg, Gjermani.

Vënia në skenë e tij, ishte një mënyrë që unë ta kuptoja një ngjarje të vërtetë që ma kishte treguar një shok i imi artist, Markus Degerman, i cili kishte përjetuar të njejtin skenar në Tromsø Art Academy në Norvegji.

Mënyra e paqartë e reagimit të studentëve ndaj Metodës së menaxhimit mbështetës Kaizen, të performuar nga z.Wagner, dhe mënyra si ai u qaset atyre, për mua, është përmbajtja e kësaj ngjarjeje dhe videoje. Rezultati është sa qesharak po aq dhe i pakëndshëm. Dhe në nivel simbolik: Metoda e menaxhimit mbështetës Kaizen, e zhvilluar nga prodhuesi i makinave Toyota, takon fituesin e çmimit Nobel të Paqes së vitit 1935 Carl von Ossietzky brenda kontekstit të tij. Por çfarë do të thotë kjo?

Si do të reagonte idealisti Carl von Ossietzky ndaj këtyre strategjive menaxhuese të mbështetjes? Jam kurioz të di se si do të kuptohet kjo punë nga perspektiva juaj. Reformat neo - liberale menaxheriale janë globale pa dyshim, por duken shumë të ndryshme në varësi të perspektivave dhe përvojave të ndryshme gjeografike.

Oslo, 16 Qershor, 2017, Felix Gmelin

Felix Gmelin jeton dhe vepron në Oslo. Ai ka studiuar në Royal Institute of Art / Kungl, Konsthögskolan në Stockholm 1983—1988 dhe për momentin punon si profesor i artit bashkëkohor në Oslo National Academy of the Arts dhe jep mësim në International Academy of Art në Palestinë.

Ekspozitat e tij individuale përfshijnë PORTIKUS, Frankfurt a.M; Malmö Konstmuseum dhe Gasworks, London; Galerie Nordenhake, Stockholm; Milliken Gallery, Stockholm; Annet Gelink Gallery, Amsterdam; Vilma Gold, London dhe maccarone inc., New York, gjithashtu edhe ekspozitat e tij në Premier | Art | Basel and the Frieze Art Fair.

Ekspozitat grupore përfshijnë Bienalen e 50-të të Venecias të kuruar nga Francesco Bonami dhe Daniel Birnbaum; Bienalen e 52-të të Venecias të kuruar nga Robert Storr; Bienalen e katërt të kuruar nga Barbara Heinrich dhe René Block.

Në vitin 2010, Gmelin u shpërblye me çmimin Carnegie Art Award “për një punë që pothuajse është një kërkim arkeologjik i pasojave shoqërore dhe politike të prekjes dhe ekspresivitetit të pikturave. Si temë kyqe në artin e performancës së hershme, Gmelin kthehet në këtë fushë të veprimit në një vepër komplekse që rikonsideron “prekjen” piktorike duke kaluar nëpër median e filmit, pikturës dhe fotove të printuara.”

Ai është gjithashtu ligjeron në SCCA World of Art curatorial school.

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë dhe institucionet partnere me Shkollën Verore si Shkollë kanë krijuar një platoformë edukative ndërkombëtare, të stacionuar në Prishtinë, si një model i përparuar; që zhvillon një planprogram ndërdisiplinore dhe angazhon profesionistë nga rajoni dhe më gjerë në ndarjen e njohurive dhe ekspertizës me studentët ndërkombëtarë dhe me publikun.

Orari i plotë i Programit Publik të Shkolla Verore si Shkollë 2017 mund të gjindet në: http://www.stacion.org/en/Public-Lectures-and-Presentations-2017

Konteksti i gjerë i projektit u përgjigjet sistemeve të arsimit të artit në Kosovë, Maqedoni, Serbi, Bosne dhe Hercegovinë, Kroaci dhe Slloveni.

Shkolla Verore si Shkollë 2017 është organizuar në bashkëpunim me Allianz Cultural Foundation, mbështetur nga Fondacioni ERSTE, Trust for Mutual Understanding(TMU), Kancelaria Feserale e Austrisë, Zyra e Friedrich-Ebert-Stiftung në Prishtinë, Ministria e Diasporës së Republikës së Kosovës, Komuna e Prishtinës, Independent Curators International (ICI), Zyra për Art Bashkëkohor (OCA), Norvegji dhe RIT Kosova. Lista e plotë e donatorëve dhe partnerëve bashkëpunues do të bëhet e ditur në kohën e duhur.