• Anri Sala në Shkolla Verore si Shkollë 2018
Anri Sala: Take Over

Anri Sala në Shkolla Verore si Shkollë 2018
17 korrik, 2018, 20:00
Vendi: Klubi i Boksit

Shkolla Verore si Shkollë
16 korrik – 2 gusht, 2018

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtina ka kënaqësinë të prezentoj “Take Over” nga Anri Sala, pjesë e Programit Publik të Shkolla Verore si Shkollë 2018.

Take Over (2017) është një instalacion-video dhe zë i përbërë nga dy filma, i cili trajton temat kryesore në veprën e Anri Salës, duke eksploruar marrëdhëniet midis muzikës dhe rrëfimit, arkitekturës e filmit dhe cilësitë e ndërsjella të mediumeve të ndryshme, duke shkrirë kufijtë e tyre përkatës.

Pikënisja konceptuale e Take Over janë dy vepra muzikore të njohura, të lidhura me kompleksitetin e historisë politike dhe kulturore, La Marseillaise dhe Internationale. Kompozuar në vitin 1792, Marseillaise ishte e lidhur ngushtë me Revolucionin Francez, por shpejt u përhap në vende të tjera ku u bë simbol i përmbysjes së regjimeve shtypëse. Kështu, teksti i shkruar në 1871-in për Internationale fillimisht u përcaktua në vijën melodike të Marseillaise-s, deri në vitin 1888 kur muzika e saj origjinale u kompozua dhe kënga u bë himni standard i lëvizjes socialiste. Të dyja himnet kanë pësuar ndryshime të mëdha në kuptimet e tyre politike: nga revolucioni, restaurimi, socializmi, rezistenca dhe patriotizmi, në shoqatat lidhur me kolonizimin dhe shtypjen në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë (si himne kombëtare përkatësisht të Francës dhe Bashkimit Sovjetik). Take Over e bën të dëgjueshme marrëdhënien e ngushtë të këtyre dy himneve dhe gërmon lidhjen muzikore në gjurmët e këtij ndryshimi simbolik. Është vetë tingulli ai që e përcakton filmin: ndryshimi i fokusit në film është i lidhur me tonalitetet muzikore dhe lëvizjen e çelësave që e prodhojnë muzikën - edhe nëse sfondi i këtij sistemi mbetet i pakapshëm.

Të dy filmat janë konceptuar fillimisht për t’u shfaqur njëkohësisht, me qëllim konkurrimin e njëkohshëm të tingujve të tyre përkatëse. Për këtë prezantim, filmat do të shfaqen njëri pas tjetrit.

Anri Sala, artist që punon në Berlin, lindi më 1974 në Tiranë, Shqipëri. Ekspozitat e tij të fundit përfshijnë Anri Sala, Marian Goodman Gallery, New York (2018), Anri Sala, Museo Tamayo, Mexico City, Mexico (2017), The Last Resort, Kaldor Public Art Projects, Sydney, Australia (2017) Anri Sala: Answer Me, New Museum, New York, NY (2016), Anri Sala, Galleria Alfonso Artiaco, Naples, Italy (2015), “The Present Moment (in D)”, Haus der Kunst, Mynih, Gjermani (2014); “Anri Sala: Two Films”, Museum of Contemporary Art, Detroit, Michigan (2012); Louisiana Museum of Modern Art, Humlebaek, Danimarkë (2012); Centre Pompidou, Paris, Francë (2012); “1395 Days Without Red”, Irish Museum of Modern Art, Dublin, Irlandë (2012); National Museum of Art, Osaka, Japoni (2011); Serpentine Gallery, Londër, Angli (2011) dhe Musée d'Art Contemporain, Montreal, Quebec (2011).

Sala fitoi çmimin Gilles Dusein në vitin 2000; Çmimin Artist i Ri në Bienalen e Venedikut më 2001, dhe Absolut Art Award, Stokholm, Suedi, më 2011. Në vitin 2013 u zgjodh të përfaqësoj Francës në Bienalen e 55-të të Venedikut me “Ravel Ravel Unravel” dhe së fundi Sala pranoi çmimin Vincent, Hagë, Holandë (2014).