• Anri Sala 3-2-1...Long Sorrow 16
3-2-1...Trishtim i gjatë

Anri Sala
3-2-1...Trishtim i gjatë

Kurator: Edi Muka

26 Qershor 2012 - 4 Gusht 2012
Hapja: 26 Qershor 2012, ora 20:00,
me performancën 3-2-1, ekzekutuar nga muzikanti i xhazit të lirë Pierre Borel, në improvizim të lirë me saksofon, përkundër lojës muzikore të Jemeel Moondoc.

Prezentim publik nga Anri Sala
27 Qershor 2012 ora 20:00

Anri Sala lindi në vitin 1974 në Tiranë. Ai është një artist bashkëkohor mediumi primar i të cilit është video. Ai studioi arte pranë Akademisë së Arteve të Tiranës nga viti 1992 deri në vitin 1996, video në Shkollën e Arteve Dekorative të Parisit, si edhe regjisurë në Le Fresnoy-Studio National des Arts Contemporains, Tourcoing. Anri punon dhe jeton në Berlin. Disa prej punëve të tij janë: Jepmë Ngjyrat (Dammi i Colori) - 2005, Trishtimi I Gjatë (Long Sorrow) - 2005, Intervista - 1999, Nocturnes – 1999, 1395 Ditë pa të Kuqen – 2011. Sala ka marrë pjesë në shumë ndër aktivtetet më të rëndësishme ndërkombëtare si, Bienalja Europjane Manifesta – 2001, Bienalja e Venedikut – 2003; Bienalja e Stambollit – 2003, Bienalja e Tiranës – 2003 – 2009; Bienalja e Sidnejt – 2006, Documenta – 2012. Ai është gjithashtu fitues i një sërë çmimesh prestigjioze ndërkombëtare, ndër të cilat Çmimi për Artistin e Ri në Bienalen e Venedikut 2003, Çmimi Gilles Dussein – 2000, dhe Absolut Award – 2011.

Veprat e Anri Salës shpalosin një këndvështrim krejt të veçantë në lidhje me si e shohim botën, një këndvështrim që përzien reflektime ndaj historisë, kujtesës dhe ndërgjegjes fluturake të çastit, me një përkushtim dhe vëmendje të pashoqe ndaj së tashmes. Ai ka një talent të papërsëritshëm për realizime të sakta dhe tepër të mprehta, si dhe një aftësi të posaçme për të krijuar instalacione dhe propozime hapësinore që përfshijnë tinguj, imazhe, skulptura, film apo performanca të gjalla.

Trishtimi i Gjatë, 2005, i filmuar në një nga ndërtesat parafabrikate në Berlin, është një regjistrim i mistershëm i një performance të orkestruar nga artisti. Sala ftoi muzikantin e njohur të jazzit të lirë, Jemeel Moondoc të improvizojë në saksofon teksa ndodhet i varur në hapësirën marramendëse, jashtë dritarës së një apartamenti të boshatisur në katin e tetëmbëdhjetë. Përmes këndeve të detajuara të kamerës që përqëndrohen në sytë dhe muskujt e fytyrës së saksofonistit, përcillen ndjesitë e furishme që adrenalina përcon në trupin e tij. Është pikërisht kjo adrenalinë që dikton lojën muzikore të Moondoc, teksa tingulli muzikor kthehet në përcjellës të një përjetimi të hapësirës arkitektonike dhe dimensioneve të saj përmes trupit njerëzor. Varja në hapësirë e muzikantit dhe heqja e mundësisë për të shprehur ndejsitë e vrullshme që e kaplojnë përmes fjalës së folur apo tingujve zanorë, krijon një marrëdhënie fenomenologjike mes trupit dhe hapësirës, ku roli analitik i intelektit njerëzor është reduktuar në maksimum dhe ku truri është kthyer në një mekanizëm që thjesht i përgjigjet stimujve të hapësirës, të përthithur nga cdo qelizë dhe gjymtyrë e trupit të muzikantit.

Për ekspozitën në Stacion, Sala rikrijon aspektin performativ të punës përmes performancës 3-2-1, në të cilën saksofonisti francez Pierre Borel i përgjigjet me muzikë të gjallë muzikës dhe performancës së Moondoc në videon e punës Trishtimi i Gjatë. 3-2-1 fillon me Borel që shoqëron me muzikë të gjallë një regjistrim audio të një improvizimi që Moondoc realizoi mbi tingullin e vetë pjesës që ai luan në videon e punës së Salës. Në këtë mënyrë, në hapësirë krijohet një “trio” improvizimesh, improvizimi i Borel që filon në hapësirën e oborrit të Stacion dhe që luhet mbi një regjistrim të një improvizimi të dyfishtë të Moondoc, që ai realizoi mbi tingullin e improvizimit fillestar të tij që vjen nga video e shfaqur në hapësirën e brendshme të Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë. Më pas, loja muzikore kthehet në një “duet”, në të cilin Borel futet në hapësirën e brendshme të Stacion dhe improvizon dhe luan në përgjigje të muzikës së Moondoc që vjen nga filmi i projektuar; në fund, performanca mbyllet me një solo të Borel, i cili vazhdon temën e tij të improvizimit edhe pas mbarimit të filmit. Performanca e gjallë i shton një element të rëndësishëm improvizues ciklit të mbyllur të ekspozitës, duke ndërlidhur fijet e filmit dhe performancës së gjallë që përshkojnë të gjithë veprën e Anri Salës.

Performanca 3-2-1 u realizua për herë të parë gjatë ekspozitës personale të Anri Salës në Serpentine Gallery, në Londër, në 2011.

Ekspozita e Anri Salës në Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë ësht përkrahur nga: Ambasada e Francës në Kosovë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, Drejtorati për Kulturë, Rini dhe Sport i Komunës së Prishtinës, Hotel Nartel, Arda Rei, Ujë Rugove, Technomarket, Europlakat, KTV, Klan Kosova, X-print, 3V studio dhe DZG.